Bulmeti “i pakapshëm", ankohen qytetarët: Çmimet janë bërë të papërballueshme

Në markaton e Fierit ende nuk kanë ndryshuar çmimet e bulmetit për shkak të furnizimit që kanë pasur tregtarët. Por me marrjen e furnizimit të ri, tregtarët do të detyrohen që rrisin çmimet. Qytetarët thonë se rritja e çmimeve të bulmetit është bërë e papërballueshme.

Rritja e çmimeve të nënprodukteve të qumështit vihet re në të gjitha marketet e Fierit dhe ka bërë që shumë klientë të heqin dorë nga blerja e tyre.

Çmimet vijojnë të mbeten të pandryshueshme vetëm në markaton kryesore të qytetit, ku ende shitësit po tregtojnë produktet e furnizimit të vjetër.

Sipas administratorit të tregut Sadik Gega, e gjithë kjo situatë ka sjellë rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse.

"Ka një rënie të fuqisë blerëse por çmimet nuk kanë lëvizur".

Ndërkohë tregtarët pohojnë se kjo rritje çmimesh është e pajustifikueshme.

"Nëse na vjen një faturë e rritur nga baxhot detyrohemi dhe ne të rrisim çmimet. Mbetemi me çmimet që kemi pasur, sa do të vazhdojë nuk e di."

Ata që preken drejtëpërdrejtë nga rritja e çmimeve janë konsumatorët, të cilët pohojnë se këto produkte të domosdoshme nuk po i blejnë dot më si më parë.

"Është rritur sa nuk ka më. Çfarë do marrim më përpara."

"Ne pleqtë do vdesim pa ngrënë, po shkojnë në stratosferë, ça po bëhet?"

"Me ato pensione qesharake që kemi nuk mund të marrim dot asgjë".

Veçanërisht të moshuarit janë ata që ankohen se nuk e përballojnë dot rritjen e çmimeve me pensionet që kanë.