Dy tendera të njëjtës kompani, Bashkia Mat i jep 298 mijë € të njëjtit subjekt me procedura të dyshimta
Bashkia e Matit vijon të bëjë tendera me procedura të dyshimta. Në dy rastet me vlerë 298 mijë euro, institucioni i drejtuar nga Agron Malaj ka shpallur fituese të njëjtën kompani, por ku vihet re se nuk ka konkurrencë.
Prokurimet pa konkurrim dhe me kritere të vendosura me porosi mesa duket është kthyer në metodë për Bashkinë e Matit tre muaj para zgjedhjeve vendore.
Kësaj radhe institucioni i drejtuar nga Agron Malaj, brenda një dite i ka dhënë dy tendera me vlerë 298 mijë euro të njëjtës kompani, por duket se nuk ka garë.
Në datën 10 shkurt është mbyllur gara për ndërtimin e rrugës së varrezave të qytetit, në fshatin Batër i Vogël.
Për të kryer punimet me fondin 237 mijë euro kanë marrë pjesë dy kompani dhe fitues është shpallur subjekti “KACDEDJA” që kishte ofertën më të lartë me rreth 3 mijë euro më shumë se kompania tjetër e cila është skualifikuar gara.
Procedura është shënuar me flamur të kuq edhe nga Open Procurment, pasi në vlerësimin e tyre është skualifikuar oferta më e mirë nga gara.
Por nëse në të parën është cënuar gara, në të dytin që është mbyllur në datën 3 shkurt ka marrë pjesë vetëm një subjekt.
Bëhet fjalë për rikonstruksionin e tregut industrial në qytetin e Burrelit ku do të shpenzohen 61 mijë euro.
Në këtë tender ka marrë pjesë sërish kompania “KACDEDJA” dhe bashkia Mat e ka shpallur fituese pa konkurrim.
Në të dy rastet vihet re se edhe shuma e kërkuar për realizimin e punimeve është sa 98% të vlerës së tenderit.
