Tenderi pa garë në Mat/ “Flamur i kuq” për prokurimin 938 mijë euro, u mor pa konkurim

Bashkia e Matit nën drejtimin e Agron Malajt ka shënuar tenderin e radhës pa garë. Prokurimi me vlerë 938 mijë euro, për furnizimin me ujë të dy njësive administrative, i është dhënë pa konkurrim kompanisë e cila kërkoi sa 99.6% të vlerës së tenderit.

Teksa na ndajnë tre muaj nga zgjedhjet vendore prokurimet pa konkurrim dhe me kritere të vendosura me porosi, nuk mungojnë. Një rast i tillë është tenderi i Bashkisë së Matit, i cili është mbyllur në datën 1 shkurt të këtij viti që ka si qëllim ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat e dy njësive administrative.

Konkretisht në garën me vlerë 108 milionë lekë, ose 938 mijë euro, ka marrë pjesë vetëm një subjekt që përbëhet nga bashkimi i operatorëve ekonomik “EVEREST” dhe “KRONOS KONSTRUKSION” dhe janë shpallur automatikisht edhe fitues.

Tenderi në fjalë është shënuar me “flamur të kuq” edhe nga  prokurimet, me arsyetimin e mungesës së konkurrencës.

Megjithse procedura është zhvilluar në mungesë të garës, dukshëm vihet re se edhe shuma e kërkuar nga kompania për realizimin e punimeve ka qenë sa 99.6% të vlerës së tenderit, ndërsa punimet do të duhet të përfudojnë brenda 6 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.

Ankthi për të mbyllur sa më shpejt prokurimet me vlera të mëdha para zgjedhjeve, mesa duket e ka kapur edhe kryebashkiakun Agron Malaj, i cili u kujtua në fund të mandatit për të furnizuar me ujë 12 fshatra të Matit me prekurim të dyshimtë.