Resuli: Qumështi do të ketë rritje, qeveria ofron pak mbështetje për fermerët dhe blegtorët

Në një intervistë për RTV Ora, Ervin Resuli, kreu i shoqatës së konsumatorit u shpreh se ka pasur një tendencë të vazhdueshme për rritjen e çmimeve çka ka ndikuar në buxhetin e konsumatorit.

Ai tha se sa i përket rritjes së paralajmëruar nga industria e qumështit bëhet fjalë vetëm për qumështin  deles, i cili në 5 vite nuk ka pasur rritje.

Resuli: Nëse do t’i marrin në kronologji ngjarjet ka pasur një tendencë të vazhdueshme për rritjen e çmimeve çka ka ndikuar në buxhetin e konsumatorit. Nëse shohin të dhënat e INSTAT në këtë janar e kemi mbyllur me një tendencë rritëse deri në 27% të totalit dhe pjesën më të madhe e ka pasur bulmeti dhe qumështi. Qeveria shqiptare në raport me rajonin ka ma pak mbështetje për fermerët dhe blegtorët dhe ata janë më të prekurit. Kemi gati një përgjysmim të numrit të krerëve.

Sa i përket rritjes së paralajmëruar nga industria e qumështit bëhet fjalë vetëm për qumështin  deles, i cili në 5 vite nuk ka pasur rritje dhe në fakt për 2023 ka një tendencë rritëse që do të japë efektet në mars-prill sepse është një produkt sezonal ku çohet për përpunim. Kemi një njoftim nga Autoriteti i Konkurrencës i cili ka ngritur një grup dhe po heton për të marrë masa lidhur me këtë çështje nëse kemi të bëjmë me një sinkron dhe një marrëveshje për të rritur këtë çmim.