Cilët janë faktorët që e sollën rritjen e çmimeve të bulmetit? Autoriteti i Konkurrencës po heton që prej 8 shkurtit
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimin e shkaqeve që çuan në shtrenjtimin e produkteve të bulmetit në vend që prej 8 shkurtit.
Lajmi u bë me dije nga Dafina Hysa, Përfaqësuese e Qendrës “Konsumatori Shqiptar” në një intervistë për emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora.
Pjesë nga biseda në studio
A ekziston mundësia e nje marrëveshje të fshehtë mes prodhuesve?
Dafina Hysa, Përfaqësuese e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”: Është një mundësi që nuk përjashtohet. Por kërkon hetim të thelluar e professional. Siç është bërë me dije, ky treg është tashmë nën monitorim nga ana e Autoritetit të Konkurrencës.
Por ndërkohë ne i referohemi deklaratave zyrtare nga të dyja palët…
Sipas drejtuesve të shoqatave të fermerëve, edhe pse këta të fundit kanë një rritje të kostove të mbarështimit deri në 50% për vitin që lamë pas, sërish nuk kanë reflektuar një shtrenjtim të çmimit të qumështit në këto nivele.
Sa i përket dyshimeve në lidhje me një marrëveshje të fshehtë mes prodhuesve, ka pasur një reagim edhe nga ana e Shoqatës së Industrisë të Përpunimit të Qumështit, e cila ka kundërshtuar në mënyrë kategorike ekzistencën e një marrëveshjeje për çmimet, duke konfirmuar se vetëm 1 kompani ka lajmëruar shtrenjtim të nënprodukteve, sidomos nga qumështi i deleve dhe dhive.
Nëse ka apo jo marrëveshje dhe fiksim të çmimeve do përcaktohet nga Autoriteti i Konkurrencës.
Nisja e monitorimit të tregjeve të caktuara, kur ka dyshime dhe informacione për abuzime, është një detyrim i Autoritetit, por mbi të gjitha është e rëndësishme të ketë një vendimmarrje në një kohë sa më të afërt.
Konstatohet se nga tregjet e marra ne monitorim me heret, vendimi i Autoritetit të Konkurrencës ka ardhur në kapërcim të vitit, apo edhe 2 vite nga nisja e hetimeve siç ishte rasti me kompanitë e miellit.

