S'ka shije fshati/ Hamë bulmet importi, ushqime me çmime të larta

Shqipëria nuk i plotëson dot nevojat e tregut për bulmet. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm në dhjetor janë importuar 830 mijë litra qumësht dhe 291 mijë kilogram djathë. Ekspertët tregojnë arsyet.

Ndoshta s'do të jetë e largët dita kur do të harrojmë shijen e bulmetit të fshatit.

Shqiptarët po konsumojnë gjithnjë e më tepër qumësht, djathë e gjalpë që vjen nga jashtë.

"Me niseshte të gjitha."

Mbi 300 mijë kilogram djathë, gjalpë e gjizë, kanë hyrë në vendin tonë vetëm përgjatë muajit dhjetor të vitit të shkuar.

E lartë është edhe sasia e qumështit ku në një muaj sipas INSTAT janë importuar 837 mijë litra.

Sa i përket qumështit pluhur përgjatë dhjetorit kanë hyrë në vendin tonë 99 mijë kilogram.

Ekspertët i konsiderojnë të larta këto shifra dhe i lidhin me mungesën e lëndës së parë për sektorin e përpunimit të qumështit si dhe nevojat e shtuara të konsumatorëve.

"Kanë hyrë për të plotësuar nevojat e konsumatorit, të tregut. Tregu ka uri për këtë produkt. Por nga ana tjetër ka filluar dhe të merret lënda e parë nga njësitë e përpunimit dhe fabrikat për të zëvendësuar mungesat që ka për lëndë të parë në vendin tonë. Kemi një rënie të ndjeshme të numrit të krerëve 5-10 vitet e fundit. Në 2009-2010 kemi pasur 500 mijë krerë gjedhë dhe sot numërojmë 350 mijë gjedhë."

Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit në Universitetin Bujqësor, Kapllan Sulaj, thotë se importi është një nga arsyet përse bulmeti është shtrenjtuar.

"Mund të ketë moment për abuzime, shfrytëzojnë momentin e këtij vakumi në treg dhe luajnë me çmimet. Por kjo mund të ndikohet ndjeshëm nga çmimet e importit."

Ankesat e konsumatorëve për cilësinë e bulmetit, Sulaj i konsideron të drejta dhe kërkon nga institucionet që edhe produktet e importit t`i nënshtrohen kontrollit.

"Të matin të gjithë treguesit analitikë për cilësinë dhe sigurinë e produktit."

Të premten Shoqata e Industrisë së përpunimit të qumështit sqaroi se vetëm një kompani ka njoftuar rritje çmimesh për nënproduktet e qumështit të dhisë dhe deles.

"Nuk ka asnjë dakordësi apo marrëveshje për çmimet në sektorin e përpunimit të qumështit."

Çmimet e këtyre produkteve pas datës 15 shkurt pritet të rriten deri në 37%, ndërsa nënproduktet e qumështit të lopës nuk do të pësojnë ndryshime.