NATO: Duhet të përgatitemi për një konfrontim të gjatë me Rusinë
NATO duhet të përgatitet për një konfrontim të gjatë me Rusinë pasi Presidenti Vladimir Putin nuk tregon dëshirë për paqe, një vit pas pushtimit të Ukrainës, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për AFP . " Ne duhet të përgatitemi për një afat të gjatë, mund të zgjasë për shumë e shumë vite ," paralajmëroi ai.
"Presidenti Putin dëshiron një Evropë të ndryshme, një Evropë ku ai mund të kontrollojë fqinjët e tij, ku ai mund të vendosë se çfarë mund të bëjnë vendet," tha Stoltenberg, një javë përpara përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës.
Pas një viti luftimesh me dhjetëra mijëra viktima nga të dyja palët, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ka frikë nga një sulm i ri rus.
30 vendet anëtare të Aleancës mbeten më të vendosur se kurrë për të siguruar që Ukraina të dalë fitimtare në fund, theksoi Stoltenberg.
"Ne jemi këtu për të siguruar që Ukraina të fitojë këtë luftë dhe për t'i siguruar asaj armët, municionet dhe mbështetjen që i nevojiten," tha ai.
“Nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë, do të jetë një tragjedi për ukrainasit. Por do të jetë gjithashtu e rrezikshme për të gjithë ne, sepse ai dhe liderët e tjerë autoritarë do të binden se kur përdorin forcën ushtarake, ata mund të arrijnë qëllimet e tyre”, përfundoi ai.
