Strasburgu në kaos/ Protestuesit kurdë "pushtojnë" Parlamentin Evropian, evakuohen eurodeputetët

Një grup kurdësh ndërprenë të mërkurën seancën plenare në Parlamentin Evropian në Strasburg, duke protestuar dhe duke kërkuar lirinë e politikanit të burgosur kurd, Abdullah Öcalan.

Öcalan është themeluesi i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), i cili është arrestuar për më shumë se 20 vjet në Turqi me akuza për terrorizëm. Ligjvënësit e BE-së që po merrnin pjesë në një debat kyç mbi Planin Industrial të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së për Epokën Net-Zero u evakuuan dhe seanca u pezullua deri në një njoftim tjetër.

Protestuesit bërtisnin “Liri për Öcalanin” dhe hodhën disa objekte me shumë gjasa letra me disa mesazhe të shkruara, sipas një burimi nga Parlamenti që ishte dëshmitar i ngjarjes. Më 8 shkurt, një protestë e ngjashme duke kërkuar lirimin e Öcalan u zhvillua në sheshin përpara Parlamentit të BE-së.

Çështja kurde në Turqi dhe në rajonin e Rojava (Siria Veriore) është një problem historik rajonal që gjithmonë ka krijuar paqëndrueshmëri të thellë në zemër të Lindjes së Mesme. Kurdët në Turqi përbëjnë rreth 18% të popullsisë së përgjithshme dhe bashkëjetesa mes qeverisë turke dhe kurdëve ka qenë gjithmonë e pakëndshme.

PKK, e themeluar në vitin 1974, konsiderohet një organizatë terroriste nga shumë vende anëtare të BE-së për shkak të praktikave të tyre të diskutueshme të protestave që promovojnë kauzën kurde, të cilat përfshinin sulme, guerrilje dhe rrëmbime. Në tetor 2019, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i shpalli luftë Rojava, rajonit të Sirisë Veriore të kontrolluar nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), të përbërë nga grupe të ndryshme etnike me një prani të konsiderueshme të kurdëve.

Erdogan zbaton një politikë të tolerancës zero për çështjen kurde dhe e ka përdorur atë si një kartë politike në marrëdhëniet e tij me BE-në.