Të tjera dosje të Biden në hetim, FBI ka siguruar të tjera dosje nën hetim

FBI po vijon hetimet me të tjera dokumenta të presidentit Joe Biden, të cilat këtë herë janë gjendur në Universitetin e Delaware. Prej dy ditësh FBI ka marrë mijëra kuti me dosje të cilat Biden i kishte lënë atje që prej 2012-ës.

FBI ka siguruar të tjera kuti me dokumenta të cilat po hetohen nëse janë të klasifikuara dhe nëse janë fshehur në Universitetin e Delaware, nga presidenti Amerikan Joe Biden.

Hetuesit morën të gjitha kutitë nga kolegji në një hark kohor prej dy ditësh, për shkak se universiteti zotëron mijëra dosje të kohës së Biden në Senat. Kolegjit ju dhanë 1,850 kuti dosjesh nga zoti Biden në vitin 2012, megjithatë, ato dosje nuk kanë qenë të aksesueshme për publikun që atëherë.

Avokati personal i zotit Biden, Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe Universiteti i Delaware nuk kanë dhënë ende asnjë prononcim.

Dokumente të tilla janë gjetur muajt e fundit në shtëpinë e presidentit dhe në zyrat që ai kishte në përdorim në Uashington DC. Një pjesë të dosjeve të klasifikuara, FBI i gjeti përgjatë një kontrolli në rezidencën e tij private, muajin e kaluar.

Kritikët e zotit Biden po bëjnë shpesh krahasime midis këtyre zbulimeve dhe hetimit në vazhdim, për trajtimin e materialeve të klasifikuara nga Donald Trump, pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë.

Edhe ish-presidenti Trump po përballet me një hetim të veçantë pasi qindra dokumente me shenja të klasifikuara u gjetën nga agjentët e FBI-së duke ekzekutuar një urdhër kontrolli në pronën e tij në Florida.

Hetimeve nuk i ka shpëtuar as shtëpia e ish-zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence.