"Ndryshoi hetimet e vrasjes së Emiljano Ramazanit" SPAK çon për gjykim ish-komisarin Leonard Palushi

Ish-shefi i hetimit të krimeve në policinë e Elbasanit Leonard Palushi është dërguar në gjyq nga SPAK me akuzën e korrupsionit. Ai rezulton se ka pasur miqësi me Erion Alibejn dhe ka përfituar një makinë prej tij në këmbim të dhënies së informacioneve. Konkretisht dyshohet se Alibej ka përdorur zyrtarin e policisë për të nxitur një konflikt mes grupit të Talo Çelës dhe disa personave të tjerë në Elbasan.

Prokuroria e Posaçme ka dërguar në gjyq ish zyrtarin e policisë Leonard Palushi i akuzuar për korrupsion dhe veprime në favor të grupeve kriminale.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se në vitin 2020 Leonard Palushi ka ushtruar detyrën e Shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve në policinë e Elbasanit.

Gjatë ushtrimit të detyrës, Palushi ka krijuar raporte me Erion Alibejn dhe ka marrë tërthorazi prej tij përfitim të parregullt për të kryer në vijim, veprime si punonjës policie për ta favorizuar të dyshuarin.

Hetimi ka provuar se Leonard Palushi ka marrë në datën 23 qershor 2020 nga Alibej si përfitim të parregullt një automjet tip “Mercedes Benz”.

Duke qenë i ndërgjegjshëm se ky veprim ishte në kundërshtim me ligjin, zyrtari i policisë Leonard Palushi, ka kryer veprime kamufluese për të mbuluar dhurimin e makinës dhe pronarin e vertetë të saj, duke paraqitur si blerës një shtetas të njohur të tij.

Më pas, Leonard Palushi e ka mbështetur personin nën hetim duke u takuar me të, ndërkohë që eprorët e tij nuk ishin në dijeni. Në dosje thuhet se në datën 20.07.2020, në Elbasan është vrarë Emiljano Ramazani.

Financues të kësaj vrasje ishte Erion Alibej, organizator shtetasi Nuredin Dumani, ekzekutor shtetasi Skerdi Tasi dhe ndihmës shtetasit Henrik Hoxhaj, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.

Me porosi të Erjon Alibej shtetasi Nuredin Dumani ka organizuar dhe koordinuar veprimet që arma e krimit e përdorur në vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani të vendosej në një parkim në pronësi të shtetasit Seit Manhasa, pasi Manhasat ishin shokët e Talos dhe ishin qitësa. Sipas Nuredinit, Erjoni donte që të krijonin konflikt midis Manhasave dhe grupit të Talo Çelës.

Henrik Hoxhaj me porosi të Nuredin Dumanit e ka lënë armën e krimit tek pishat ku kalon kthesat në Cërrik. Nuredini i ka treguar shtetasit Klevis Kapllani vendin se ku ishte fshehur arma dhe Klevisi pas dy tre ditëve ka vajtur ka marrë këtë armë dhe e ka çuar dhe vendosur tek servisi i Manhasava. 

Në datën 27 korrik 2020 (7 ditë pas vrasjes së Emiljano Ramazanit) në një servis në Peqin në pronësi të shtetasve Albert dhe Seit Manhasa është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit e tipit pistoletë e cila referuar aktit të ekspertimit balistik është ajo që ka qitur gëzhojat e fiksuara në vendin e ngjarjes së vrasjes së Emiljano Ramazani.

Nga hetimet e kryera rezulton se informacionin në lidhje me vendndodhjen e kësaj arme e ka marrë pkërisht Leonard Palushi. Sipas SPAK, në atë datë zyrtari i policisë me kërkesë të Erion Alibejt, ka dhënë informacionin mbi vendndodhjen e armës tek servisi i Manhasëve me qëllim për të krijuar konflikt midis dy grupeve.