Hyri në Portin e Savonës për të nxjerrë 60 kg kokainë, kapet shqiptari me armë

Një 37 vjeçar shqiptar u arrestua duke nxjerrë nga kontejneri në portin e Savonas në Itali një sasi prej 60 kilogramë kokainë. Droga mbërriti e fshehur në një ngarkesë me banane nga Ekuadori. I riu nga Shqipëria me precedent të mëparshëm penal ishte i armatosur ndërkohë policia ka nisur hetimet për pritësit e drogës me vlerë tregu 5 milionë euro.

Një shtetas shqiptar është vënë në pranga nga policia italiane me akuzën e trafikut të drogës. 37-vjeçari u ndalia në portin e Savonës teksa po nxirrte një sasi droge në një kontenjer të mbërritur nga Ekuadori.

Shqiptari me banim në Milano, kishte arritur të hynte në mënyrë abuzive brenda portit të Savonës dhe po tërhiqte nga kontejneri 60 kg kokainë të vendosur në 50 pako. Kontejneri kishte mbërritur me anijen “Victoria L”, nga Ekuadari e cila po transportonte banane.

Policia tha se shqiptari është identifikuar gjatë vëzhgimit të kontejnerit që po mbahej në mbikqyrje bazuar në analizën e riskut me dyshimet se brenda tij kishte lëndë narkotike. Kontejneri, i cili mbërriti në bordin e anijes "Victoria L", e ardhur nga Ekuadori me një ngarkesë banane, u identifikua nga zyrtarë të Departamentit Kundër Mashtrimit të Agjencisë Doganore të Savonës, gjatë monitorimit të dërgesave që vijnë nga zonat gjeografike të konsideruara "në rrezik".

Gjatë arrestimit të shqiptarit, policia i ka gjetur në trup një pistoletë të mbushur me 13 fishekë, një radio transmetuese komunikimi dhe mjete për të hapur me forcë derën e kontejnerit.

I arrestuari ka precedentë të mëparshëm penal si grabitës shtëpish dhe pronash të ndryshme.

Ndërkaq policia italiane ka zgjeruar hetimin për identifikimin e pritësve të ngarkesës gjigande të drogës, e cila, në tregun me pakicë, do të kapte vlerën e mbi 5 milionë eurove. Procedimi aktualisht është në fazën e hetimeve paraprake.