U kishte dhënë 5 turqve pasaporta bullgare dhe po i kalonte me makinë, anglezi kapet në Portin e Durrësit
Një shtetas anglez është arrestuar në portin e Durrësit pasi u kishte siguruar 5 shtetasve turq, pasaporta bullgare false, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
U arrestuan edhe 5 shtetasit turq, pasi tentuan të dilnin nga vendi ynë, duke përdorur pasaportat false.
Me finalziimin e operacionit “Pasaporta”, janë vënë në pranga:
-Shtetasi anglez J. S., 41 vjeç dhe shtetasit turq: M. K., 29 vjeç, M. D., 23 vjeç, A. A., 19 vjeç, H. K., 20 vjeç dhe M. H., 31 vjeç.
"Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në dalje të RSh-së, kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin J. S., ku kanë parë 5 shtetasit turq, të cilët transportoheshin nga 41-vjeçari, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, të 5 shtetasve turq iu gjetën pasaporta bullgare false, të cilat dyshohet se janë siguruar nga shtetasi J. S., për t’i kaluar këta 5 shtetas, drejt vendeve të BE-së," njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.