“Nuk na e mbyllni dot gojën”/ Plas sherri te “Etika”, Vokshi-Bushkës: Futini mediat në sallë
6 deputetët e përjashtuar të Partisë Demokratike ndodhen në Komisionin e Votimit dhe Etikës në lidhje me përjashtimin e tyre nga seanca e Parlamentit.
Kërkesa e tyre për të lejuar medoiat të jenë të pranishme ka shkaktuar debate të forta mes socialistëve dhe demokratëve, ku këta të fundit po e transmetojnë mbledhjen drejtëpërdrejtë në rrjetet sociale.
Demokratja Albana Vokshi i kërkon socialistes Klotilda Bushkës që të lejojë që media ta ndjekë live dhe për hir të transparencës të mos jetë dëgjesë e mbyllur.
“Nuk e bën dot të mbyllur mbledhjen, nuk jemi në diktaturë. Ka procedurë”, iu drejtua Vokshi, Bushkës.
Ndersa, gjatë fjalës së tij, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi pohoi se Kuvendi dhe ky komision po tenton që t’i mbyllë gojën opozitës.
“Nuk e kuptoj se pse keni frikë nga fjala e lirë? Pse ju pretendoni se kjo mbledhje është e rregullt? Kjo mbledhje ka rënë, pasi në kohën kur dorëzohet kërkesa, ky komision e ka detyrim ligjor që të mblidhet brenda 48 orëve. Është joetike kjo gjë, ndaj duhet të zbatoni rregulloren.
Për praninë e medias dhe për afatet. Ju nuk mund të vini këtu dhe të silleni si pronë dhe zgjatim i Kuvendit të kapur. Jeni në shkelje të dy neneve të rregullores. Etikë është respektim i ligjeve të shkruara. Ju doni të na mbyllni gojën.
Këtu për shkelje të etikës duhet të ishte kryeparlamentarja popullore. Duket qartas se është urdhër politik. Doni të dënoni 8 deputetë se nuk ju pëlqejnë akuzat e vërteta të dala me fakte në mediat ndërkombëtare.”, tha Boçi.
DEBATI NE MBLEDHJE
Klotilda Bushka: Mbylleni lidhjen në Facebook!
Albana Vokshi: Nuk jemi në diktaturë. E duam live komisionin. Nuk jemi në diktaturë. Duam që media të ishte e pranishme. Nuk jemi në diktaturë ne këtu!
Klotilda Bushka: Nuk është normale kjo!
Albana Vokshi: Po si nuk është normale, të bësh mbledhje të mbyllur kështu.
Klotilda Bushka: Po bëj detyrën!
Bledion Nallbati: Si e bën detyrën pra? Na pushkatoni pra. Nuk çuditemi. Mos ndërprisni fjalën!
Klotilda Bushka: Po me kë po flet? Me një gjyqtare?
Bledion Nallbati: Po ashtu po flet. Ne nuk jemi në shkollë e të na mësoni ju se si të flasim.
Saimir Korreshi: Ose ne nuk na punon ora, ose juve ju ka ngelur ora. Se nuk keni respektuar procedurat. Ne nuk jemi palaço. Këtu ti na kërkon dhe rregull dhe thua; këta po lozin.
Albana Vokshi: Unë nuk do kisha guximin tuaj që të vija në një gjyq politik. Ju po tentoni që t’i mbyllni gojën opozitës. Ju po kërkoni që të na ktheni në monizëm. Deputetet janë përfaqësues të popullit. Nuk përfaqësojmë vetëm ato qytetarë që kanë votuar PD, por qytetarët shqiptarë, dhe ata që keni lënë ju në baltë. Ditën e parë të parlamentit, unë kam bërë betimin. Jeni në shkelje totale të rregullores. Nuk duhet të ishit mbledhur sot, pasi është nul. Ju urdhëron Edi Rama dhe vini këtu me urdhër të tij që t’i mbyllni gojën opozitës. Jeni organ partie dhe jo Kuvendi.
Kujtojmë se përjashtim është kërkuar për; Luçiano Boçin, Albana Vokshin, Ervin Salianji, Ina Zhupën, Luan Baçin, Tritan Shehun, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati.


