Familjarisht të pandehur për drogë/ Kërkohet 7 vjet burg për Enea Qosjan, 4.8 vjet për gruan, dhe 2.4 vite për të vëllanë

Gjykata e Elbasanit, i ka dhënë fund shqyrtimit gjyqësor për 13 persona të marë të pandehur, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin shpërndarjen dhe tregtinë e hashashit në qytetin e Elbasanit.

Kjo veprimtari kriminale, drejtohej nga dy vëllezërit Enea Qosja, bashkëshortja e tij, Kristina Qosja dhe vëllai i Eneas, Elios Qosja.

Vëllezërit Qosja, janë të njohur në qytet pasi kanë qënë pronarë të ish “Bar-Kafe B…”, që ndodhej përballë me stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan.

Gjatë aksionit për arrestimin e 13 personave, policia gjeti dhe sekuestroi një thas të mbushur me drogë të llojit hashash.

Ndërkohë që në fund të muajit dhjetor 2022, përfaqësuesi i prokurorisë lexoi pretencën ndaj 13 personave që akuzohen për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Drejtim mjeti në gjëndje të dehur” dhe “Moskallëzim krimi”.

Ndaj të pandehurit Enea Qosja,prokuroria kërkoi në gjykatë deklarimin fajtor dhe dënimin e tij me 10 vite e 6 muaj burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, prokuroria reduktoi masën e dënimit, duke kërkuar përfundimisht dënimin me 7 vjet heqje lirie të tij.

Kërkesës së prokurorisë për dënim, nuk i shpëtoi dhe bashkëshortja e Eneas, e pandehura Kristina Qosja, e cila në këtë çështje akuzohet për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Për Kristina Qosjan, u kërkua një masë dënimi prej 4 vjet e 8 muaj burgim.

Për për këtë rast, prokuroria u shpreh para gjykatës që kjo masë dënimi me burg të pezullohet dhe e pandehura Kristina Qosja, ti nënshtrohet shërbimit të provës për një periudhë kohore 5 vjeçare.

Ndërsa për vëllain e Eneas, të pandehurin Elios Qosja, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 2 vjet e 4 muaj burgim.

Lista e të pandehurve vijon Ermal Budanin, Genci Meli, Ardian Bitri dhe Afrim Cikoja, për të cilët prokuroria kërkoi dënimin me 6 vjet burgim për secilin prej tyre.

Për Viktor Cerrin, prokuroria kërkoi 4 vjet e 8 muaj burgim. Ndërsa për dy vëllezërit Astrit Bitri dhe Ardit Bitri, prokuroria kërkoi që të dënohen me 4 vjet e 8 muaj burgim secili prej tyre.

I vetmi i pandehur që prokuroria kërkoi dënimin më të ulët prej vetëm 6 muaj muaj burgim, është Redi Arapi.

Pritet që në ditët në vijim mbrojtësit e 13 të pandehurve të japin konkluzjonet e tyre dhe më pas do jetë gjykata e Elbasanit, që do shprehet për dënimin ose jo të këtyre të pandehurve.

LISTA E TË PANDEHURVE

Enea Qosja                   7 vjet burgim

Kristina Qosja              4 vjet e 8 muaj burgim

Elios Qosja                   2 vjet e 4 muaj burgim

Ermal Budanin             6 vjet burgim

Genci Meli                   6 vjet burgim

Ardian Bitri                  6 vjet burgim

Afrim Cikoja                6 vjet burgim

Viktor Cerri                  4 vjet e 8 muaj burgim

Astrit Bitri                    4 vjet e 8 muaj burgim

Ardit Bitri                     4 vjet e 8 muaj burgim

Redi Arapi          6 muaj burgim