Nuk kishte dokumentacion, arrestohet administratori i një guroreje në Krujë

Një 34 vjeçar është arrestuar nga policia në Krujë pasi ushtronte veprimtarinë në gurore në kundërshtim me ligjin.

"Me finalizimin e operacionit policior të koduar “Mjedisi”u arrestua në flagrancë shtetasi D. P., 34 vjeç, banues në Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin gurore që ai administronte, u konstatua se nuk dispononte dokumentacionin përkatës për ushtrimin e aktivitetit të nxjerrjes dhe përpunimit të materialeve inerte e gurore," njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës”, “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve“, “Transportimi i mbetjeve toksike” dhe “Prerja e drurëve dekoratovë e frutorë”. 

Operacioni vijon deri në përfundimin e kontrollit të plotë të territorit, për të verifikuar dhe për të kontrolluar të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetet e nxjerrjes dhe të përpunimit të materialeve inerte dhe gurore.