Para për të mos treguar shkeljet në farmaci, në pranga përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Tiranë pasi akuzohen për korrupsion.

Ata dyshohet se në këmbim të parave nuk kanë raportuar shkeljet nga farmacitë që kontrollonin.

Të arrestuarit, përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave, ndërsa i shpalluri në kërkim, një tjetër specialist i kësaj agjencie.

"Me finalizimin e operacionit policor të koduar "Farmacisti" u arrestuan:

- B. Xh., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave;

- L. Ç., 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi A. L., 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave," njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.