Hiqen në Korçë e Pogradec 31 kamera, filmonin rrugë e ambjente publike, nuk lëvizen ato në prona private
Edhe Policia e Korçës e Pogradecit në aksion për evidentimin e rasteve të vendosjes së kamerave në qark.
Si në qarqet e tjera, edhe kjo drejtori ka kontrolluar në rrethina në Pogradec dhe Korçë, duke konstatuar raste të vendosjes së kamerave që shkelin privatësinë.
Komisariatet respektive kanë arritur të konstatojnë në total 31 kamera në të dyja qytetet, ndërsa kontrollet do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme brenda qytetit të Korçë.
Gazetarja e Ora News informon se kamerat ishin vendosur individualisht nga qytetarë pranë banesave të tyre dhe nuk kemi të bëjmë me persona apo grupe kriminale që ti kenë vendosur ato.
Policia ka deklaruar se do të hiqen vetëm ato kamera që janë pozicionuar për të filmuar në rrugë e ambjente publike e që cënojnë privatësinë e të tjerëve.
Kamerat që janë pozicionuar në prona private nuk do të lëvizen.
