Shirat dëmtojnë rrugën e Sevastërit, probleme në aksin që lidh 8 fshatra në Selenicë
E dëmtuar një ditë më parë rruga në drejtim të fshatit Sevastër vijon të mbetet ende problematike.
Shkarja e dherave ka krijuar dëmtimin e saj, ndërsa është bërë e mundur që kalimi aktualisht të bëhet vetëm me një sens kalimi.
Ka nisur ndërhyrja në rrugë, por problematika mbetet edhe për shkak se kërkohet ndërhyrje totale.
Është parë situata edhe nga ARRSH, ndërsa për banorët dhe drejtues të mjeteve është kërkuar të bëjnë kujdes në lëvizje.
Është dëmtuar bazamenti i rrugës në një gjatësi prej 56 metrash. Për banorët e zonës rruga përbën rrezikshmëri për shkak dëmtimi ndërsa duhet kryer ndërhyrje përfundimtare.
Nga ana tjetër, supervizori i firmës kontraktuese të rrugës, Sokol Lulo konfirmon se po punohet, porse rruga kalohet me një sens, ndërsa rrezikshmëria për shkak të ujërave mbetet.
Nga situata e krijuar segmenti nuk kalohet nga mjetet e rënda, apo autobusë, për shkak të rrezikshmërisë, por vetëm nga mjetet e vogla.
Rruga lidh 8 fshatra të Njësisë Administrative Sevastër në Bashkinë Selenicë.

