Në Fier “kërcet druri” një herë në dy ditë, avokatët: Rehabilitoni të rinjtë e dhunshëm!

275 raste të dhunës në familje janë regjistruar në Fier gjatë vitit të shkuar. Dhunuesit janë kryesisht kryefamiljarët, ndërsa viktimat janë gratë dhe fëmijët. Avokatët sugjerojnë mbylljen e autorëve në institucione rehabilitimi.

Dhuna në familje po merr përmasa shqetësuese në Fier dhe Mallakastër.

Sipas statistikave te Gjykatës së Fierit vetëm për vitin 2022 janë rreth  275 raste të dhunës në familje ku mbi 100 prej tyre kanë marrë edhe urdhër mbrojtje.

Sipas avokatëve që kanë ndjekur çështjet gjyqësore me subjekt dhunën në familje, një nga arsyet kryesore të shtimit të fenomenit në fjalë është situata e vështire ekonomike që përjetojnë të rinjtë apo familjarët, çështja e pronës dhe përdorimi i alkoolit  tek djemtë e familjes apo edhe tek kryefamiljari.

"Ka pasur raste të shumta që kemi pasur dhunë ndërmjet babait dhe fëmijës, djalit apo vajzës në raste shumë të rralla, ndërmjet bashkëshortëve, vëllezërve dhe motrave".

Avokatët shprehen se duhet të jenë strukturat në nivel shtetëror dhe lokal që të zbusin këtë fenomen shqetësues.

"E shoh zgjidhje vetëm ngritjen e Qendrave Sociale në funksion të plotë. Mungesa e tyre çon këtu."

Gratë dhe vajzat në Shqipëri janë më të prekurat nga dhuna në familje, ndërsa vendi ka përjetuar edhe raste tragjike që kanë rezultuar me vrasje.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.