Vrasja e 60-vjeçarit Nuri Basha në Peshkopi: Pas Osman Torbës, arrestohen edhe tre bashkëpunëtorët

Ka shkuar në katër numri i personave të arrestuar për vrasjen e Nuri Bashës në qershor të vitit të kaluar në Peshkopi. Policia tha se përveç Osman Torbës që ka shtyrë viktimën pas konfliktit fizik me të, në pranga janë vënë së fundi edhe tre persona të tjerë. Ata janë përpjekur ta paraqesin ngjarjen si aksidentale duke pretenduar se 60-vjeçari ishte rrëzuar dhe kishte goditur kokën.

Tre persona janë arrestuar nga policia e Dibrës në lidhje me vrasjen e 60-vjeçarit Nuri Basha, në qershor 2022, në Peshkopi.

Të arrestuarit mësohet se janë shtetasit Eduart Torba, Ahmet Torba dhe Lavdrim Kaleci të dyshuar për vepren penale "Vrasje me dashje", kryer ne bashkepunim.

I akuzuar më herët për këtë ngjarje është edhe Osman Torba, i cili është vënë në pranga më parë.

Burimet zyrtare thanë se nga tërësia e hetimeve të thelluara dyshohet se më datë 26 qershor 2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit Lavdrim Kaleci, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Osman Torba në bashkëpunim me Eduart Torbën, Ahmet Torbën dhe Lavdrim Kalecin, kanë plagosur rëndë 60-vjeçarin Nuri Basha, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën në spital, dy ditë pas ngjarjes.

Për këtë ngjarje, më herët është arrestuar shtetasi Osman Torba. Ai së bashku me personat e arrestuar së fundi, pasi u gjetën në vendin e ngjarjes nga polcia, u përpoqën ta paraqesin ngjarjen si aksident, duke thënë se viktima Nuri Basha, ishte rrëzuar gjatë zbritjes nga automjeti dhe ishte dëmtuar në kokë.

Por nga hetimet ka rezultuar se Basha është konfliktuar me Osman Torbën dhe personat e tjerë dhe dëmtimet fizike i janë shkaktuar prej tyre.

Policia bëri të ditur se nga hetimet ka rezultuar se pas konfliktit për motive të dobëta, Osman Torba ka shtyrë shtetasin Nuri Bashën, i cili është rrëzuar në tokë, duke marrë dëmtime të rënda, si pasojë e të cilave humbi jetën në spital, mbrëmjen e datës 28.06.2022.