"Storm" në Vlorë, kapen dy hajdutë të shtëpive e bizneseve
Dy persona janë arrestuar nga policia në Vlorë pasi akuzohen si autorë të disa vjedhjeve si shuma parash, sende me vlerë gjatë janarit.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar "Storm", u arrestuan: Ervis Myrtaj, 37 vjeç dhe Mariglen Lala, 34 vjeç, për veprën penale "Vjedhja", të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Antonio Rapaj, 33 vjeç, për veprën penale "Vjedhja", gjithashtu i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
"Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të disa ngjarjeve në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, të ndodhura gjatë muajit janar 2023, konkretisht:
- Më datë 01.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit K. B;
- Më datë 15.01.2023, në lagjen “Pavarësia”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. C., disa pajisje elektroshtëpiake;
- Më datë 19.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në lokalin e shtetasit E. B., një televizor;
- Po më datë 19.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetases E. D., produkte të ndryshme ushqimore;
- Po më datë 19.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit Xh. Z., steka me cigare dhe një shumë parash;
- Më datë 22.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit H. A., një shumë parash dhe bizhuteri;
- Po më datë 22.01.2023, në lagjen “Osman Haxhiu”, dyshohet se kanë vjedhur një biçikletë;
- Më datë 23.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit F. H., steka me cigare dhe një shumë parash," njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa pajisje që dyshohet se këta shtetas i kanë vjedhur më parë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.



