Rama në skandalin rus të ish-agjentit të FBI-së, Vokshi: SPAK të nisë hetimet për lidhjet e kryeministrit me rusët
Deputetja e Partisë demokratike Albana Vokshi kërkon urgjentisht nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama për skandalin e arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, që vetë kryeministri shqiptar e ka pranuar se është mik i tij, për shkak të bashkëpunimit dhe parave të marra nga një oligark rus.
“SPAK-u duhet të kishte reaguar dhe nuk duhet të presë asgjë, kur ka indicie kaq të forta, ndaj dhe ne si PD jemi të detyruar të hetojmë në Kuvend. Është një skandal i rëndë dhe Rama duhet të hetohet në themel për financimet ruse ndaj tij”, u shpreh Vokshi në edisionin e lajmeve në “Ora News”.
Deputetja demokrate komentoi dhe nismën e mazhorancës për çështjen e 21 janarit të vitit 2011 ku PS pretendon se ka një provë të re, Vokshi tha se kjo është një zhurmë e qëllimshme e qeverisë që gjendet përballë skandaleve të njëpasnjëshme.
