PD: Vjedhja nuk ndalet. Zhduken 410 milionë lekë, Landfilli që inaguroi Rama në Mat nuk funksionon

Partia Demokratike denocoi këtë të martë një tjetër skandal me incineratorët, por tashmë në atë të Matit.

Nga foltorja e selisë blu, kryetarja e PD Mat, Denisa Vata theksoi se ndërsa vjedhja shtetërore nuk ndalet, janë plot 410 milionë lekë të zhdukura për një Landfill që nuk funksionon në Mat.

Vata deklaroi se impianti në fjalë u përurua nga vetë kryeministri Edi Rama tre muaj më parë.

“Landfilli i inauguruar tre muaj më parë nga Kryeministri Rama në Bashkinë Mat, ka pësuar fatin e “vëllezërve të mëdhenj” në Tiranë, Fier dhe Elbasan.

Edhe pse janë shpenzuar 410 milionë lekë nga taksat tuaja, gropa e hapur për landfill është ende bosh, ndërkohë që mbeturinat e bashkisë Mat shkarkohen diku ngjitur me Landfillin.

Siç do ta shihni nga pamjet, ky i ashtuquajtur Landfill është jashtë funksioni, pasi mbeturinat janë të hedhura në rrugë duke bllokuar madje dhe hyrjen për në gropën e depozitimit.

Gropa, në vend që të quhet ‘Landfill’ mund të emërtohet gropa e sebepit apo pretekstit për dikë në Bashkinë Mat për të çelur një tender, e mbyllur sytë, kur vidhen paratë e takspaguesve.

Landifilli nuk ka qenë në funksion asnjë ditë. Madje punonjësit deklarojnë, jashtë kamerave se nuk duan të humbasin punën dhe bukën e gojës, se është tentuar disa herë të groposen mbeturinat, por janë groposur makineritë e Bashkisë, për të cilat është dërguar më pas eskavatori për të bërë nxjerrjen e tyre.

Kjo vjen si pasojë e punimeve të dobëta dhe abuzive dhe mos hedhjes së bazamentit të dranazhimit. Mbulimi vetëm me skorje, mbi normativën e lejuar, nuk lejon makinat që të shkarkojnë.

Mosdranazhimi ka sjellë dhe shembjen e këtij Landfilli në anën e poshtme.

Pra, janë investuar 410 milion lek, dhe në vetëm pak muaj, Landfilli është jashtë funksionit dhe madje i shembur në anën e poshtme.

Se ku ka shkuar investimi, ku do shkojnë mbeturinat e Bashkisë Mat, dhe ku përfundojnë paratë, mund ta merrni me mend”, u shpreh kryetarja e PD-së në Mat, Denisa Vata.