Topi: Komisioni hetimor për 21 janarin ishte politik, nuk nxori asnjë raport, duhet bërë drejtësi

Në një intervistë për “Drejt” nga Luan Rama në RTV Ora, ish-presidenti Bamir Topi u shpreh se ka bërë thirrje për uljen e tonave më 21 janar 2011.

Ai tha se nuk ka mbajtur anën e asnjë partie politike dhe se komisioni hetimor i ngritur për atë çështje e ka mbyllur punën e tij pa asnjë raport.

Ai shtoi se ai komision shkoi për të akuzuar pikërisht ato institucione që ishin të pavarura, pasi kishte një konotacion politik.

Topi: Kam bërë thirrje të vazhdueshme për ulje të toneve dhe qetësi mes palëve. Kam qenë shumë i koncentruar kur jam marrë me librin. Për këtë duhet pyetur ai që i koordinoi të gjitha sulmet. Mesa duket ajo deklaratë që dhashë për ngjarjen ku u ekzekutuan 4 njerëz, e orientoi dhe e vuri si primare edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për presidentin dhe prokurores së përgjithshme duke e anatemuar me fjalor rruge. Unë nuk mund të kisha asnjë lloj predispozicioni për të mbajtur asnjë anë politike. Ai është i vetmi komision hetimor parlamentar që e ka mbyllur punën e tij pa asnjë raport. Dhe kjo është arsyeja që unë në atë kohë kam thënë që riktheni gjyqin politik për 21 janarin. Ndaj kam përsëritur gjatë gjithë kohës që drejtësia duhet të bëjë drejtësi.

Ai komision në momente të caktuara, për sa kam parë unë në raport me institucionet ishte i përdorur duke formuluar akuza nga më të përbindshmet. Ai komision shkoi për të akuzuar pikërisht ato institucione që ishin të pavarura. Ai sulmoi jo vetëm presidentin, por edhe prokurorinë, sepse dihet që ajo do ta merrte në dorë hetimin. Pra ai ishte një komision me konotacion konkret politik. Unë nuk e kuptova asnjëherë se pse socialistët nuk morën pjesë jo vetëm në atë komision, por as në debat politik për këtë çështje. Kjo është politika në Shqipëri. Një ditë para 21 janarit, atë ditë dhe nja 2-3 ditë mbrapa flasin diçka dhe asgjë më shumë. Kjo ka ndodhur para 12 vitesh dhe asgjë nuk është bërë.