Shtohen kriteret për kreditë, bien aplikimet

Banka e Shqipërisë thotë se pasiguritë ekonomike kanë bërë që bankat të japin më pak kredi, në muajt e fundit të vitit 2022. Bankat shtrënguan kriteret për dhënien e kredisë dhe kjo gjë ka reduktuar numrin e kredive të dhëna bizneseve dhe qytetarëve. Kjo situatë pritet të vazhdojë edhe gjatë muajve të parë të vitit 2023.

Bankat në vend kanë dhënë më pak kredi në muajt e fundit të vitit 2022, duke shtrënguar kriteret e përfitimit si për qytetarët dhe për bizneset.

Në këtë konkluzion ka dalë Banka e Shqipërisë, e cila shprehet se arsyeja është frika që kanë bankat për situatën ekonomike dhe financiare në vend.

Sipas Bankës së Shqipërisë, faktorët që ndikuan në shtrëngimin e kritereve të kreditimit për bizneset, lidhen kryesisht me frikën e bankave se kredimarrësit nuk do të mund ta shlyejnë atë.

Bankat shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë dhe reduktuan numrin e kredive të dhëna bizneseve. Edhe në për huatë për individët u shtrënguan standarded e kreditimit, duke miratuar një numër më të ulët aplikimesh për kredi.

Shtimi i kritereve bëri që qytetarët të mos shfaqin interes të madh për të marrë kredi, si për konsum ashtu edhe për blerje banesash.

Sipas bankave, një ndikim të madh pati edhe rritjen e normave të interesit, krahas pasigurive lidhur me ambientin makroekonomik.

Edhe gjatë muajve të parë të vitit 2023, kriteret për të marrë kredi priten të mos ndryshojnë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo gjë pritet që kërkesa për kredi të jetë më e ulët, kryesisht për financimin e investimeve, në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, si dhe kredia për individë pritet të jetë sërish në rënie.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.