Rreziqet nga rikthimi i basteve, Gjokutaj: Të menaxhohet qarkullimi i parave të pista
Vendimi për të rikthyer bastet sportive online mban me vete rreziqe që duhet të menaxhohen me kujdes për të shmangur problemet e të kaluarës. Ekspertët thotë se qeveria duhet të menaxhojë rrisqet që çuan në mbylljen e këtij biznesi duke nisur nga aspekti social deri tek rreziku i qarkullimit të parave të pista.
Mijëra pika bastesh dhe faqet e lojërave të fatit janë mbyllur më pare, por ky akt nuk i dha fund aktivitetit të paligjshëm në këtë fushë.
Lojërat e fatit vazhduan në të gjithë vendin në ambiente ilegale të përshtatura për baste dhe lojëra të fatit, çka u pasua me arrestime thuajse çdo javë.
Së fundmi, me kërkesë edhe të përfaqësuesve të sportit, qeveria ka vendosur të licensojë tregun e lojërave që në realitetin ekonomik shqiptar përbën një risi. Deri tani asnjë aktivitet nuk është prezantuar për publikun nëpërmjet shërbimeve që ofrohen 100% nga interneti.
Për ekspertin e ekonomisë Eduart Gjokutaj qarkullimi i parave nëpërmjet bankave ka më shumë efikasitet pasi çdo veprim kryhet në kohë reale. Gjokutaj thotë se qeveria duhet të menaxhojë me shumë kujdes rrisqet që çuan në mbylljen e këtij biznesi që nga aspekti social e deri tek evazioni.
"Nëpërmjet mënyrës online monitorimi është më efektiv, më i lehtë, në kohë reale dhe nga ana tjetër edhe për tu administruar përputhja e faturimeve me ato çafrë qarkullojnë paratë. Duhet të kemi shumë kujdes ato rrisqe që përmendëm në të kaluarën pasi rrisqet ekzistojnë qoftë në aspektin social por dhe të evazionit dhe hyrjes së parave të pista," tha ai.
Për sociologun Elidon Shehu hapja e basteve online ka pasoja sociale por duhen përdorur mekanizma psikologjikë për trajtimin nga vesi i bixhozit i cili është më i vështiri.
"Tashmë ne kemi mekanizma mjekësorëd he psikologjik për trajtimin e tyre. Varësia ndaj bixhozit është më e vështira pasi këta njerëz kanë diçka individuale, të brendshme," tha ai.
Sipas draftit të parashikuar ofruesit e shërbimeve të lojërave të fatit duhet të plotësojnë kritere të forta me një listë të gjatë kriteresh për të marrë të drejtën e operimit në këtë fushë aktiviteti.