“Jo diploma në seri, por njerëz të mirëformuar”, Zv.Dekania e Filologjikut: Të krijojmë qytetarë të denjë

Zv.Dekania e Universitetit të Historisë dhe Filologjisë, Elsa Skënderi Rakipllari në një intervistë për “Ora News”, nënvizoi rëndësinë e angazhimit të pedagogëve jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në krijimin e individëve më të mirë në shoqëri si pjesë e një misioni të përbashkët.

“Ajo që e bën fisnik misionin tonë është të diplomojmë individë më të mirë, më të shkolluar më të edukuar qoftë edhe më të sjellshëm dhe kjo është sfida jonë. Sipas statutit të universitetit të tiranës, një ndër misionet e universitetit është pikërisht kjo: Të krijojmë qytetarë të denjë në shërbim të shoqërisë, kjo nuk duhet harruar, nuk është se thjesht nxjerrim në seri individë të shkolluar në fakt është misioni ynë që ti integrojmë jo thjesht në jetën univesitare por të kultivojmë tek ta vetëdijen për të qenë i angazhuar, çështja e angazhimit është një çështje problematike tek të rinjtë tane, sepse përgjithësisht ka një farë apatie kur vjen puna tek të qënurit i angazhuar dhe i përfshirë”, tha ajo.

Gjatë intervistës në studion e “OraNews” përballë moderatores Katerina Hysenllari, Zv.Dekania e Universitetit të Historisë dhe Filologjisë theksoi se është shumë e rëndësishme që instancat shtetërore të angazhohen në mbështetjen e jetës studentore dhe mbështetjen ndaj stafeve universitare për të rritur cilësinë e një sistemi që është jo fort e lehtë të reformohet por njëkohësisht edhe jo e pamundur.  

“Jemi një kontekst të ri zhvillimi, të kohës ku jetojmë, nga ana tjetër gjithë bota digjitale ushtron një trysni dhe ia dikton nevojën për tu reformuar sistemit arsimor dhe me një vëmendje më të shtuar nga instancat ashtetërore dhe mbështetjes ndaj stafeve dhe atyre që e kanë lidhur jetën me arsimin, patjetër që do të ketë zhvillime pozitive në sistemin tonë”, u shpreh Zv.Dekania e Universitetit të Historisë dhe Filologjisë, Elsa Skënderi Rakipllari.