Zogu migrues, në “Guinness”/ “Limosa lapponica” fluturoi pa ndalesë nga Alaska në Australi

A e keni menduar ndonjëherë se ku fluturojnë zogjtë? Shumica e tyre migrojnë duke fluturuar mbi oqeane dhe kontinente nga një skaj i planetit në tjetrin për të gjetur ushqim, për tu çiftëzuar ose për t'i mbijetuar stinëve që ndryshojnë. Për vitin që lamë pas, një zog i mitur fitoi me sukses një vend në histori me udhëtimin e tij nga Alaska në Australi.

Një zog migrues, i quajtur Limosa lapponica, ka thyer rekordin Botëror Guinness për migrimin më të gjatë pa ndalesë, në një distancë prej 13,560 kilometrash nga Alaska në Tasmania, Australi. Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të Rekordeve Botërore ku theksohet se distanca e përshkuar është e barabartë me 2.5 herë udhëtimin nga Londra në Nju Jork, ose një e treta e perimetrit të plotë të planetit.

Studiuesi Eric Waller shpjegon se zogu humbi “gati gjysmën ose më shumë të peshës së tij trupore gjatë fluturimit të vazhdueshëm ditë dhe natë”.

Sipas etiketës satelitore 5G të bashkangjitur në pjesën e poshtme të shpinës, udhëtimi epik filloi më 13 tetor 2022 dhe vazhdoi për 11 ditë e një orë pa ndaluar.

“Për zogjtë shtegtarë, një kthesë e humbur mund të jetë fatale, sepse ata kalojnë disa javë duke fluturuar mbi oqeane dhe kontinente nga një skaj i planetit në tjetrin”, sipas studiuesit.

Megjithëse shumica e zogjve migrojnë shumë kilometra në kërkim të ushqimit dhe klimave më të ngrohta, disa kanë aftësinë të transformohen fizikisht për t’iu përgjigjur kushteve mjedisore.

Rekordin e mëparshëm Guinness e mbante një zog tjetër i së njëjtës specie, në vitin 2020.