47 grupe kriminale janë arrestuar brenda një viti në kufirin Shqipëri-Kosovë
Kalimi i paligjshëm i kufirit Shqipëri-Kosovë, apo trafikimi i emigrantëve të paligjshëm me synim vendet e Europës Perëndimore, është kthyer në një dukuri shqetësuese për Policinë e Kosovës.
Nexhmi Krasniqi, Drejtor i Policisë Kufitarë për pjesën perëndimore të Kosovës, thotë se në bashkëpunim me Policinë Vendore të Kukësit, vitin e kaluar janë arrestuar mbi 47 grupe kriminale, të cilët në disa raste kanë qënë tepër të rrezikshme.
Ndërkohë viti 2022 llogaritet të jetë viti më i ngarkuar sa i përket hyrje-daljeve në Kufirin Shqipëri-Kosovë.
Kolonel Krasniqi tha se si rrjedhojë e marreveshjes për lëvizjen pa kontrolle në kufi, rreth 9 milionë qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë, kanë hyrë dhe kanë dalë gjatë sezonit turistik.
Sa i takon veprave penale që lidhen me krimin ndërkufitar është bërë e mundur goditja e shumë rasteve që kanë të bëjnë me trafikun e lëndëve narkotike, mosdeklarimi i të hollave si dhe kalimi nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe mjeteve të vjedhura.

