Bilanci i Bujqësisë, Krifca: Sektori është i stabilizuar, sfidë për 2023-in blegtoria

Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka dalë sot në konferencë ku ka sjellë në vëmendje bilancin e një viti dhe pritmshëritë e vitit të ri 2023.

Gjatë fjalës së saj, Kriufca theksoi se sfida e këtij viti është blegtoria, pasi siç tha ajo, sektori i bujqësisë është në nivele të stabilizuara.

“Blegtoria është sfida jonë kryesore, kemi mbështetur blegtorët dhe do bëjmë të njëjtën gjë edhe gjatë këtij viti. Bazuar në të dhënat, ne jemi në nivele të stabilizuara dhe me një rritje të lehtë. Ata që thonë ndryshe nuk dinë ç’flasin. Kemi një rritje me 18.1% në vlerë krahasur më 2021. Dhe 15.6% në sasi. Struktura e eksporteve ka pasur një strukturim cilësor. Rritja e eksporteve ka dhe çmimin e rritjes së produktit. Sipas sasisë, bujqësia zë më shumë se 6% të strukturës.”-tha ajo.

Ministrja tha se ka qenë një vit rezistence por me një bilanc pozitiv falës punës së ministrisë për t’i ardhur në ndihmë këtij sektori sidomos pas vështirësive prej luftës në Ukrainë.

“Kemi një kontribut pozitiv të bujqësisë në prodhimet e brendshme bruto me 0.05 për qind. Punësimi është rritur në bujqësi gjatë tremujorit të tretë me 6.5 për qind. Rritja e pagës mesatare prej 15.7 për qind në tre mujorin e tretë. Sektori është shumë herë më i formalizuar se një vit më parë. Kemi një numër në rritje të fermerëve me NIPT, 85 mijë. Të dhënat paraprake flasin për një stabilitet të prodhimit dhe një rritje të lehtë. Krahasuar me 2021, kemi ecuri pozitive me rritje të parashikuar si te gruri me 4 për qind, ulliri që ka pasur ecuri fantastike me 39 për qind“, tha ministrja.

Duke u ndalur te eksportet, ministrja iu referuar si “kali i betejës” për vitin 2022.

“Kemi rritje me 18 për qind në vlerë dhe 15.6 për qind në sasi krahasuar me 2021. Struktura e eksportit ka pësuar ndryshim cilësor si dëshmi e vlerës së shtuar. Kemi siguruar një mbështetje progresive për prodhimin, ruajtjen, magazinat, është shumëfishuar vëllimi i kapaciteve mbrojtëse. Të gjitha këto janë një strukturë e rëndësishme për eksportin. Kemi çarë tregje të reja. Kemi eksportuar në 73 vende, 10 vende të reja sesa një vit më parë”, u shpreh ministrja.