Pendarovski: Fokusi i faktorit ndërkombëtar, siguria e Ballkanit Perëndimor, jo integrimi në BE
Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, konsideron se për herë të parë pas marrëveshjes së Kumanovës dhe Ohrit, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është prioritet i bashkësisë ndërkombëtare, e jo integrimi.
Sipas tij, anëtarësimi i Maqedonisë në BE deri në vitin 2030 është i mundshëm, por për këtë, siç theksoi, është e nevojshme të ruhet konsensusi kombëtar dhe Brukseli ta mbajë vëmendjen në rajon.
Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, vlerësoi se mbështetja për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vend është në rënie për arsye të ndryshme, sidomos te maqedonasit etnikë, dhe theksoi se ekzistimi i qëndrimeve divergjente për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme është e vështirë për tu menaxhuar nga vendimmarrësit.
Në tryezën e rrumbullakët “Ballkani Perëndimor ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes: Maqedonia e Veriut – anëtare e BE-së deri në vitin 2030?” organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve, Pendarovski vuri në dukje dy situata të mundshme në vitet e ardhshme: Realizimi i reformave të shkëlqyera dhe fokusi i Bashkimit Evropian nuk është në Ballkanin Perëndimor, ose mosrealizimi i reformave në vend, dhe Bashkimi Evropian do ta ketë fokusin në rajon.
Në të dyja situatat, sipas presidentit Pendarovski, nuk do të ketë përparim në integrime dhe shtoi se nevojitet përkushtim nga të dyja palët, si në realizimin e reformave ashtu edhe në aspektin e fokusimit në rajon.
"A është e mundur anëtarësimi deri në vitin 2030? Është e mundur. Ne kemi potencial të brendshëm, kemi njerëz të zgjuar, kemi përvojë, kemi një sistem negociatash të krijuar prej kohësh dhe jemi kandidati më i mirë, padiskutim më i përgatituri në historinë e Bashkimit Evropian, por nuk jam i sigurt në këtë kontekst dhe në këtë kompleks çështjesh për dy gjëra të tjera.
Së pari, nuk e di nëse do të arrijmë një konsensus kombëtar për këtë çështje. Nuk e kemi në këtë moment. Pra, po flas për konsensus real, jo retorikë. A do ta arrijmë dhe a do ta mbajmë sepse ju duhet ta ruani për vite e vite derisa të zgjasin negociatat dhe së dyti, nuk e di nëse Bashkimi Evropian do ta mbajë fokusin në rajon edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë”, tha presidenti Pendarovski.
Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski tha se pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, arsyet gjeostrategjike filluan të dominojnë në logjikën e Bashkimit Evropian, që u pasua me vendimet për dhënien e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën, Ukrainën dhe Moldavinë.
Në përgjigje të pyetjeve gazetareske, ai tha se në Maqedoni të gjithë politikanët janë deklarativisht për BE-në, por se ende nuk ka konsensus kombëtar të BE-së.
Obligimi i parë, sipas tij, në atë kuptim është ndryshimi i Kushtetutës.
“Këtu duhet të tregosh nëse je për BE apo jo, sepse ne e dimë përmbajtjen e kornizës së negociatave. Dihet kërkesa konkrete për përfshirjen e bullgarëve si pjesë e popullit në Preambulë. Nëse kemi gjashtë pjesë të popujve të tjerë që jetojnë plus maqedonasit, çfarë diskutohet?”, tha Pendarovski.
I pyetur nëse mund të ndihmojë për arritjen e një konsensusi kombëtar, kreu i shtetit thotë se nga këndvështrimi i asaj që dëgjon, partitë opozitare nuk do të ndryshojnë qëndrim me shpresën për të fituar zgjedhjet e ardhshme.

