Kontrolle jo për të gjithë/ Pse KLSH anuloi auditimin e BSH-së, AMF-së dhe Institutit të Sigurimeve në Tiranë?

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, pengon realizimin e planit të vitit 2020, i cili ishte hartuar nga ish-drejtuesi i këtij institucioni. Edhe pse ishin planifikuar të auditoheshin 160 institucione, 49 prej tyre ende nuk janë realizuar edhe pse kanë kaluar 3 vite. Ndër institucionet që nuk u është bërë kontroll nga KLSH-ja, janë Bashkia e Tiranës, Banka e Shqipërisë apo Drejtoria e Koncesioneve në Ministrinë e Infrastrukturës.

KLSH, Kontrolli i Lartë i Shtëtit nuk ka realizuar një pjesë të auditimeve që ishin parashikuar në planin e vitit 2020. Nga 160 auditime që ishin në plan për t’u realizuar gjatë kësaj periudhe në institucionet publike, janë përfunduar vetëm 111, ndërsa 49 prej tyre nuk janë kryer, madje duke mos bërë asnjë sqarim publik. në fakt plani i vitit 2020 është hartuar nga ish-kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i cili u zëvendësua në korrik të 2020-ës nga Arben Shehu.

Ndër institucionet të parashikuar për t'u audituar, ishin Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore në degën e Tiranës.

Ndërsa sa i përket pushtetit vendor në proces duhet të ishin Bashkia e Tiranës, Bashkia e Vlorës, etj. Ndërsa sa i përketë projekteve që nuk është realizuar auditimi, janë katër, ku ndër to është dhe Hekurudha Shqiptare.

Në departamentin e auditimit të institucioneve qëndrore, nuk janë realizuar 13 auditime, ku ndër to janë Drejtoria e Prokurimeve të Përqëndruara, Drejtoria e Koncesioneve në Ministrinë e Infrastrukturës, Shërbimi Informativ i Shtetit, Avokati i Shtetit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si dhe dy ambasadat shqiptare në SHBA dhe Greqi.

Edhe në departamentin e auditimit të performancës janë realizuar 13 auditime, ku ndër to veçojmë Projektet e Partenritetit Publik-Privat dhe problematikat e tyre dhe zbatimi i marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë.

Mesa duket ndryshimi i drejtuesve në KLSH ka ndikuar në realizimin e auditimeve, kjo pasi edhe pse kanë kaluar thuajse 3 vite që nga miratimi i tij, një pjesë e mirë e tyre nuk janë kryer. Ndërkoh, nuk dihen arsyet se pse institucioni që drejtohet nga Arben Shehu, ka penguar auditimin në disa nga institucione të rëndësishme në vend.