Vuçiç: KFOR-i i ktheu përgjigj negative kërkesës tonë për kthimin e ushtrisë dhe policisë në Kosovë

Forcat paqeruajtëse të NATOS në Kosovë, KFOR, refuzuan kërkesën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për futjen e rreth 1000 ushtarëve serb në territorin e Kosovës.

Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i Beogradit gjatë një interviste për një televizion lokal. Ai e cilësoi vendim të padrejtë e te pahijshme në kohë festash.

“Në letrën e tyre të përpiluar me kujdes drejtuar Qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë se nuk ka nevojë për futjen e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës, duke iu referuar Rezolutës 1244. Por ata nuk iu referuan një pjese të Rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë ta refuzojnë atë kërkesë. Prisja një përgjigje pozitive në atë ditë të mirë krishtlindjesh."

Më 15 dhjetor, kohë kur ishin vendosur barrikadat, Serbia i dërgoi KFOR kërkesën për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Mitrovicë, kërkesë e cila u interpretua si sinjal lufte nga autoritetet e Kosovës.

Tensionet janë shuar vetëm pas 19 ditësh bllokimi dhe protesta të organizuara me anë të ndihmës së KFOR-it por edhe negociatave të ndërkombëtarëve.

NATO vazhdon të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së, si platforma kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje.