KFOR-i i përgjigjet Serbisë lidhur me kthimin e një numri të trupave serbe në Kosovë

Përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Serbisë, në vendkalimin kufitar në Merdarë, kanë marrë përgjigje nga përfaqësues të KFOR-it në kërkesën e tyre për kthimin e një numri të pjesëtarëve të Ushtrisë dhe Policisë serbe në territorin e Kosovës.

Sipas mediave serbe përgjigja nga KFOR-i është marrë në orën 19:00 në vendkalimin kufitar në Merdarë.

“Ministria e Mbrojtjes dokumentin e lartpërmendur e ka dorëzuar në Kabinetin e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me qëllim që ta njoftojë Presidentin me përmbajtjen e përgjigjes së KFOR-it”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe të Mbrojtjes.

Në njoftim nuk është bërë e ditur se cila është përgjigja që KFOR i ka kthyer shtetit serb.

Qeveria e Serbisë i ka dorëzuar më 16 dhjetor 2022  një letër KFOR-it, në të cilën i ka kërkuar që të bëhet kthimi i një numri të trupave serbe në Kosovë.