"Me Serbinë të ndarë për Kosovën, bashkë në Open Balkan", Çipa: Logjika politike nuk ndahet nga ajo ekonomike
"Me Serbinë ndahemi për Kosovën, por jo për bashkëpunimin ekonomik" deklaroi sot ministrja e Jashtme Olta Xhaçka duke folur për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë dhe rolin e Shqipërisë si faktor i stabilitetit në rajon.
Por analisti Akri Çipa thotë për Rtv Ora se logjika politike nuk mund të ndahet nga ajo politike.
"Logjika ekonomike për fat të keq nuk mund të ndahet në mënyrë të menjëhershme nga logjika politike. Logjika politike dhe qëndrimi i Serbisë në raport mer fqinjët, jo vetëm e Kosovën por edhe vende të tjera si Mali i Zi, Bosnjen, nuk mund të anashkalohen thjesht në saj të një logjike ekonomike".
Sa i takon qëndrimit të Tiranës zyrtare në raport me tensionet në veri të Kosovës, ai thotë se Shqipëria duhet të jetë më e zëshme në mbrojtje të Kosovës.
"Përpjekja e kryeministrit ishte që të mos i hidhte më shumë benzinë zjarrit. Është një qasje të cilën ai e ka pasur në rritje të tensioneve të mëparshme mes Kosovës dhe Serbisë. Personalisht ndaj një këndvështrim tjetër. Mendoj se Shqipëria duhet të ishte më vokale, më e drejtëpëdrejtë në dënimin e veprimeve të autoriteteve të Serbisë dhe zgjatimeve të autoriteteve të Beogradit në veri të Kosovës, ku ka grupe kriminale, ka njësi të cilat aktivizohen posaçërisht për të krijuar konfuzion, kaos dhe destabilizim të Kosovës.
Do të ishte paradoksale të përpiqej Shqipëria të çonte përpara një proces ndërveprimi me Serbinë në momentin kur Serbia ka një qasje kaq destruktive me Kosovën, kërcënime të drejtëpërdrejta ndaj territorit dhe sovranitetit territorial të Kosovës dhe me pretendime të ndryshme për qasjen dhe ardhmërinë politike të shtetit të Kosovës.Ka një lloj tërheqje dhe nga Rama dhe duhet një aktivizim më i madh i Tiranës zyrtare në raport me qëndrimin problematik të Serbisë".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
