Plagosen dy të rinj serbë, bllokohet rruga Prevallë-Shtërpcë
Dy të rinj kanë mbetur të plagosur në fshatin Drajkovc të Shtërpcës. Bëhet fjalë për një 11-vjeçar e tjetri 21-vjeç. Mësohet se në drejtim të tyre është qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.
Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Në njoftimin e Policisë thuhet se “sot rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtërpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 21 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”.
Policia e Kosovës, më herët ka njoftuar se menjëherë pas rastit të plagosjes së një 11 vjeçari dhe një 21 vjeçari të komunitetit serb, rruga që çon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes.
Siç raporton RTV “Besa”, prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se kryetari i Shtërpcës dhe Policia e Kosovës janë duke negociuar me serbët lokalë për t‘i liruar rrugët për shkaqe sigurie.
