Xhaçka: Me Serbinë ndahemi për Kosovën, por jo për bashkëpunimin ekonomik. Tensionet mund të agravoheshin më tej
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka si dhe Ministrja e Shtetit njëherësh Kryenegociatore Majlinda Dhuka kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku kanë raportuar mbi të gjithë dinamikën e ndjekur nga Shqipëria në procesin e integrimit evropian.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Olta Xhaçka teksa theksoi se Samiti i Tiranës ishte tregues si faktor i stabilitetit në rajon, komentoi dhe tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Lidhur me Kosovën, i kemi ndjekur të gjitha ngjarjet atje. Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Veri ishte vendimi i duhur. Dhuna ndaj gazetarëve dhe institucioneve të Kosovës e tejkaluan kufirin e tensioneve dhe situata mund të ishte bërë edhe më e rëndë se sa ishte. Prandaj ne kërkuam me forcë heqjen e barrikadave, dënuam dhunën, ashtu siç bëmë edhe dje me incidentin me dy serbët e plagosur. Ç’tensionimi do të vijë përmes një marrëveshjeje të ndërsjelle. Sovraniteti i Kosovës është i pakthyeshëm, dhe sa më shpejt ta njohë këtë Serbia, aq më shpejt do të vijë dhe stabiliteti në rajon. Ndërkaq Ballkani i Hapur ka qenë një lokomotivë e procesit të Berlinit. Pra vetëm dialogu është rruga drejt paqes. Me Serbinë ne kemi pikëpamje të ndryshme për sa i përket Kosovës, por kjo nuk mund ta pengojë rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona. Kjo qasja nuk bën avokatinë tonë ndaj Serbisë, por kjo qasja bën të mundur për pasjen e një rajoni më të paqtë, më bashkëpunues dhe më të sigurtë”, deklaroi ministrja Xhaçka.