"Nga “like” gabim nga ambasada e SHBA, debat për pavarësinë e Kosovës, Vuçiç: Presim shtetin e 10 të tërheqë njohjen

Nga një pëlqim i cilësuar i gabuar nga profili në Twitter i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në një lajm serb ku flitej për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, lindi një debat mes Prishtinës e Beogradit. Amerikanët e sqaruan shpejt pozicionin, kur deklaruan se Pavarësia e Kosovës është fakt dhe çdo aludim është i gabuar.

Një “like” nga llogaria në Twitter e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në një lajm të medias serbe që fliste për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, trazoi jo vetëm rrjetin, por edhe politikën në rajon.

Ambasada Amerikane shoi të gjitha aludimet kur deklaroi se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është që të mbështesë Kosovën që të bëhet pjesë e strukturave evropiane dhe euroatlantike, duke theksuar se “pavarësia e Kosovës është fakt”.

“Llogaria zyrtare në Twitter e Ambasadës Amerikane nuk e ka ‘pëlqyer’ qëllimshëm asnjë postim në Twitter në 24 orët e fundit. Siç e kemi thënë edhe më herët, kur ne duam të artikulojmë një qëndrim, ne e bëjmë përmes kanaleve zyrtare, deklaratave, e jo përmes ‘pëlqimeve’ në rrjetet sociale”.

Në një postim të dytë, përfaqësia e SHBA në Prishtinë theksoi se kundërshton në mënyrë kategorike “çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 4 janar deklaroi se është duke pritur që shteti i dhjetë sipas tij, të tërheqë njohjen e Kosovës, ndërsa specifikoi 9 Shtete që sipas tij, e kanë bërë tashmë këtë akt.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, hodhi poshtë pretendimet e kreut të Shtetit Serb për tërheqjet e njohjes së pavarësisë, duke e quajtur të pavërtetuar.

Sipas Ministrisë së drejtuar nga Donika Gërvalla Schëarz janë 106 shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa kërkoi që çështjet e hapura zgjidhen “me dialog dhe jo me fushata destruktive mediale”.

Për ti treguar Beogradit që Kosova është për dialog, bashkëpunim rajonal dhe mbi të gjitha një Shtet i Sigurtë, qeveria e Albin Kurtit lejoi vizitën e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije për Krishtlindjen Ortodokse.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ishin të tensionuara për tri javët e fundit të dhjetorit, pasi serbët lokalë bllokuan me barrikada rrugët drejt pikave kufitare dhe lëvizjen e lirë në veriun e Mitrovicës.