Kosova ngre traun për Patriarkun serb, Porfirije kërkoi të vijë pa truproja për festë
Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i është lejuar që të zhvillojë vizitë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse, që festohet më 7 janar.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tha se kreu i Qeverisë kosovare iu përgjigj pozitivisht kërkesës për lejimin e vizitës së Porfirijes.
Këtë kërkesë Kurtit ia dërgoi ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, njofton radio Evropa e Lirë.
“Sot në mesditë, Ministri për Kthim dhe Komunitete, z. Nenad Rashiq, kërkoi nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që t’i lejohet Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe që të hyjë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse. Patriarku Porfirije ka paralajmëruar që sot pasdite do të vijë te vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dëshiron të hyjë pa truprojet e tij, edhe pse nuk ka bёrё kёrkesё pёr vizitё sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese. Ministrit Rashiq, Kryeministri Kurti iu përgjigj pozitivisht. Paralajmёrimi i Patriarkut Porfirije se planifikon tё hyjё pa truproje nё Kosovё është edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas Qeverisë, paralajmërimi i Porfirijes se do të hyjë në Kosovë pa truproje është “edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia”.
Patriarku Porfirije kishte planifikuar që ta vizitonte Kosovën edhe në fund të dhjetorit. Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, i kishte parashtruar disa kushte, para se t’i lejohej vizita në Kosovë.
MPJD atëbotë tha se Porfirijes iu kërkua që të dënojë apo distancohet “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës” të cilët ishin “përgjegjës për barrikadat” e ngritura në atë pjesë.
Më pas, zyrtarët serbë deklaruan se kreut të Kishës Ortodokse Serbe iu ndalua hyrja në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar të Merdares.
Porfirije kishte planifikuar që të qëndronte në Kosovë nga 26 deri më 28 dhjetor 2022, në kohën kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë ishin të larta, pasi grupe serbësh lokalë, kishin ngritur barrikada në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Më 28 dhjetor, serbët vendosën që të largonin barrikadat, pasi argumentuan se kërkesat e tyre për një gjë të tillë ishin plotësuar.

