Vrasja në Prizren, nga një muaj paraburgim për “Kobrën” dhe pesë të arrestuarit e tjerë

Mbeten në burg Kobra dhe 5 të arrestuarit e tjerë për vrasjen e të riut nga Kukësi, Visart Cengu dhe plagosjen e shokut të tij Rufgen Shehu.

Gjykata Themelore në Prizren aprovoi të mërkurën  kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për Dibran Hoxhën, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmi Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi.

Vendimi u mor nga gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha.

Masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve caktohet për periudhën kohore prej 3 janar 2023 deri më 3 shkurt 2023.

“CAKTOHET MASA E PARABURGIMIT në kohëzgjatje prej1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit 03.01.2023 nga ora 07:00 dhe do të zgjasë deri më datën 03.02.2023, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri Dibran Hoxhaj, ka kryer veprat penale: vrasje e rëndë nga neni 173, par.1, nënpar.1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës06/L-074 (KPRK), mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës 06/L-074 (KPRK) dhe manipulimi me proval nga neni 389, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës 06/L-074 (KPRK). Ndërsa të pandehurit Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 187, par.1 lidhur me nenin 31 tëKodit Penal të Republikës së Kosovës 06/L-074 (KPRK), në pajtim me nenin 187, par.1 nënpar.1.1 dhe 1.2 lidhur me pikat1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës(KPPK)”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Ndaj Dibran Hoxhajt të njohur ndryshe si ‘Kobra’ rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulimi me prova”. 

Shkaku i konfliktit që solli vrasjen e Visart Cengut mësohet të ketë qenë fatura prej 400 eurosh, me të cilën të rinjtë nga Kukësi nuk ishin pajtuar. Brenda lokalit ‘Kobra City’ ka nisur përplasja fizike mes tre të rinjve që kishin ardhur në Prizren nga Kukësi për të festuar. Pasi kanë dalë nga lokali gjatë tentativës për t’u larguar me automjetin e tyre, drejt të rinjve është qëlluar me armë zjarri nga pronari i objektit, Dibran Hoxhaj.

Për pasojë, Visart Cengu ka ndërruar jetë gjatë rrugës për t’u dërguar në spitalin e Kukësit, ndërsa shoku i tij, Rufgen Shehu është dërguar më pas në spitalin e Traumës në Tiranë ku paraqitet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orëve të para të mëngjesit të 3 janarit. Ndërsa xhaxhai i viktimës, teksa foli për mediat e Kosovës dha detaje, duke zbuluar se Visart Cengu ishte qëlluar nga prapa makinës dhe se plumbi i kishte prekur mushkërinë dhe një pjesë të zemrës.