Ambasada e SHBA në Kosovë: Pavarësia është fakt, kundërshtojmë përpjekjet për ta vënë në pikëpyetje
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar në lidhje me një "like" të bërë në një postim të presidentit serb Vuçiç ku ai fliste për mosnjohjen e Kosovës.
Në lidhje me këtë në llogarinë e saj në Twitter, ambasada e SHBA-së në Prishtinë deklaroi se kjo nuk tregonte qëndrimin e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës, ndërsa ishte e paqëllimshme.
“Llogaria zyrtare në Twitter e Ambasadës amerikane nuk e ka ‘pëlqyer’ qëllimshëm asnjë postim në Twitter në 24 orët e fundit. Siç e kemi thënë edhe më herët, kur ne duam të artikulojmë një qëndrim, ne e bëjmë përmes kanaleve zyrtare, deklaratave, e jo përmes ‘pëlqimeve’ në rrjetet sociale”, thuhet në sqarim.
Let's be clear: Kosovo's independence is a fact. Our primary goal is to support Kosovo as it takes its rightful place in European and Euro-Atlantic structures. We categorically oppose any effort to call into question Kosovo's independence and sovereignty. 1/2
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) January 5, 2023
Ambasada shtoi se kundërshton në mënyrë kategorike “çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë një konference për media më 4 janar, deklaroi se është duke pritur nga shteti i dhjetë, që sipas tij, të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai nuk specifikoi se për cilin shtet bëhet fjalë.
Vuçiç pretendoi se nëntë shtete veçse kanë tërhequr njohjen e Kosovës: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë 106 shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë, që autoritetet e Kosovës shpallën më 2008.
Serbia edhe në të kaluarën ka pretenduar se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e Kosovës.