Deklarata e Vuçiç për tërheqjen e njohjeve, Kosova e mohon: Serbia të heqë dorë nga sulmet agresive

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës hedh poshtë pretendimet e një duite më parë të presidentit serb  Aleksandër Vuçiç se disa shtete paskan tërhequr njohjen.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se nuk ka asnjë njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës lidhur me këtë fakt.

Një pretendim i tillë sipas saj nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës nënvizon se çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale.

Serbia, thotë ajo, duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë.

Vuçiç deklaroi se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës, përkatësisht Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet, dhe shtoi se po presin të dhjetin.