Largimi i plotë i barrikadave, KFOR operacion në veri të Kosovës
Misioni KFOR në Kosovë po kryen disa operacione inxhinierike në veri të vendit, duke larguar nga rruga automjetet e bllokuara që kanë mbetur. Në një njoftim të misionit thuhet se kjo po bëhet për të rikthyer lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara.
KFOR po zhvillon operacione inxhinierike në very të Kosovës për të hequr disa automjete që ende po bllokojnë rrugët atje. Këtë të martë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë njoftoi zhvillimin e këtij operacioni për largimin e plotë të barrikadave të mbetura.
Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që qojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi.
Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Në njoftimin e KFOR-it në Twitter u tha se operacioni për largimin e automjeteve të bllokuara në rrugë po bëhet për të rikthyer lirinë e lëvizjes në atë zonë.
#KFOR Mission is conducting engineer operations in northern #Kosovo to remove some vehicles blocked on the road and to restore freedom of movement in accordance with its #UN mandate. pic.twitter.com/dFeYNK3E0A
— @NATO - KFOR (@NATO_KFOR) January 3, 2023