E reja shqiptare u vetëvra në burg, letra që Maria De Filippi nuk mori: Më ndihmo të ndryshoj jetën time
Donatella Hodo kishte nevojë për ndihmë dhe e dëshpëruar u përpoq të kthehej te prezantuesja e njohur italiane Maria De Filippi.
Hodo e cila kreu vetëvrasje në burgun Montorio (Verona) gushtin e kaluar, kishte shkruar dhe më pas kishte dërguar një letër për të marrë pjesë në programin “Ke postë për ty”.
Megjithatë, kjo letër nuk arriti kurrë në destinacionin e saj dhe Maria De Filippi nuk e lexoi kurrë. Letra u kthye pas dhe ishte babai i vajzës që e gjeti në shtëpi.
“Po ju shkruaj këtë letër për t'ju treguar historinë time dhe për të kërkuar ndihmën tuaj. Unë quhem Donatella Hodo, sapo kam mbushur 26 vjeç, kam origjinë shqiptare, por jam rritur në Itali. Fatkeqësisht tani jam në burgun Montorio. Përfundova këtu se kam pasur një fëmijëri dhe adoleshencë të vështirë me shumë probleme, nuk pata forcë të reagoja dhe u hodha te droga”, shkruante vajza, e cila kishte bërë vetëvrasje duke thithur gaz nga soba në qeli.
Pak më parë ajo i kishte thënë lamtumirë të dashurit me një tjetër mesazh: “Leo, më fal, të dua por nuk mund të vazhdoj më”.
Donatella donte të ndryshonte jetën e saj dhe për këtë arsye i kishte shkruar Maria De Filippi, ndoshta e bindur nga historitë e shumta të rilindjes që kishte parë në programin Canale 5.
“Maria të lutem, të lutem të më ndihmosh, dua të dal nga e gjithë kjo situatë, dua të lë drogën, nuk dua të përfundoj në burg, por kam nevojë për dikë që të më japë një shans… Jam 26 vjeç, kam ende një jetë përpara, dua të qetësohem, të kem një të ardhme, të rilidhem me familjen time të mrekullueshme. Sot kam dëshirën, guximin të dua të ndryshoj, dua të filloj nga e para dhe të lë gjithçka pas, kam nevojë për ndihmë, për të gjetur një punë. Dua të shoh sytë e nënës sime duke qarë për të më parë të plotësuar dhe jo sepse ajo vuan për shkakun tim. Të kërkoj me zemër në dorë nëse ke ndonjë shans të më ndihmosh të shërbej jashtë burgut, atëherë do të varet nga unë të dëshmoj se mund ta bëj. Të kërkoj të më ndihmosh, të më japësh një shans, mund të bëj shumë gjëra dhe mbi të gjitha kam gjetur vullnetin për të jetuar sërish, për të kompensuar vitet e humbura, dua të mos shkatërroj veten me duart e mia. Tani ju përshëndes, ju dërgoj një përqafim dhe pres përgjigjen tuaj me gjithë zemër.”
