Përjashtohen 3 policë, u rrahën dhe kanosën kolegët jashtë orarit të shërbimit

Një efektiv i policisë rrugore të Tiranës, u arrestua dhe u përjashtua nga radhët e uniformave blu pasi nuk iu bind kolegëve për të ndaluar dhe gjatë kontrollit iu gjet lëndë narkotike në makinë. Renato Feri rezulton të jetë djali U shefit të burimeve njerëzore në policinë e shtetit. Për shkelje në detyrë u përjashtuan edhe dy efektiva të tjerë të policisë.

Tre efektivë policie u përjashtuan me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm ndërkohë që njëri prej tyre, që rezulton edhe djali i shefit të sektorit të burimeve njerëzore në policinë e shtetit, u kap me drogë në makinë.

Renato Feri, punonjës i policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë, është përjashtuar pasi nuk i është bindur kolegëve të tij për të ndaluar automjetin, teksa gjatë kontrollit i është gjetur kanabis sativa.

Ai po lëviztë në zonën e Pallatit me Shigjeta ku nuk i është bindur urdhërit të forcave Shqiponja për të ndaluar për kontroll.

Në atë moment efektivët janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta neutralizojnë në zonën e Saukut.

Gjatë kontrollit të mjetit civil me të cilin lëvizte efektivi i policisë është gjetur një sasi kanabisi.

 Kolegët e repartit Shqiponja kanë treguar se teksa po e shoqëronin në komisariat, efektivi Renato Feri i ka sharë dhe kërcënuar.

Po ashtu ata kanë deklaruar se i riu nuk është prezantuar si punonjës i policisë dhe nuk kishte as leternjoftimin.

Renato Feri rezulton të jëtë djali i Arian Ferit, i cili është shef sektori i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Përveç Ferit, drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku ka firmosur përjashtimin nga detyra edhe të Ylber Dyberit me detyrë trup shërbimi në Sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.

Ky punonjës policie u pezullua nga detyra, në datën 22.12.2022, pasi gjatë kohës që ka qenë jashtë orarit të shërbimit është konfliktuar me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore.

Po ashtu masë pezullimi është dhënë edhe për Inspektorin Redi Mato me detyrë trup shërbimi në Seksionin për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan.

Në datën 21 dhjetor 2022, ai është konfliktuar me punonjësin e policisë E. H., gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.