Stuhi e re e fortë dëbore në veri të SHBA-së, breshër dhe tornado në jug
Më shumë se 30 centimetra borë pritet të bjerë në rrafshinat veriore dhe në mesperëndim të SHBA-së brenda 24 orëve të ardhshme, parashikojnë sinoptikanët, ndërsa i njëjti sistem barometrik kërcënon tornado dhe stuhi të forta në pjesën më të madhe të jugut.
Pas rënies rreth 30 cm borë në Nebraska dhe Dakota e Jugut, një stuhi e fortë lëviz në lindje dhe mund të bien 30-45 cm të tjerë borë në pjesët jugore të Dakotës së Jugut dhe Minesotës, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).
I njëjti presion i ulët barometrik po shkakton reshje shiu dhe mundësinë e tornadove përgjatë bregut të Gjirit të Meksikës.
Misisipi i Veriut mund të shohë breshër, tha meteorologia Allison Santorelli.
Rreth 70 fluturime u anuluan të martën në mëngjes në aeroportin ndërkombëtar Minneapolis–Saint Pau, njoftoi FlightAware në faqen e web-it.
Ndërkohë, në Kaliforni, bregdeti verior u godit nga reshje të dendura shiu gjatë fundjavës dhe ka mundësi për përmbytje me një stuhi tjetër që pritet nesër, të mërkurën dhe të enjten.
Kombinuar me erërat e forta, banorët duhet të përgatiten për rrëzim pemësh dhe ndërprerje të energjisë elektrike, tha Santorelli.
Më shumë se 21,000 shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji këtë mëngjes, sipas poweroutage.us.

