Ronaldo dhe Georgina në një vilë “europiane” në zemër të Arabisë
Cristiano Ronaldo do të jetojë në Arabinë Saudite për dy vite e gjysmë. Pasi nënshkroi me Al Nassr, në Riyad, fituesi i 5 Topave të Artë do të jetojë si një mbret pasi kushtet që ia kanë siguruar, janë të pakonceptueshme.
Janë disa lagjet milionere të këtij qyteti por Ronaldo dhe familja e tij do të vendosen në Al Muhammadiyah, një zonë me jetë nate dhe restorantet më të mira të qytetit ose në Al Nakheel me të njëjtat kushte. Që të dyja lagjet janë shumë pranë stadiumit të skuadrës dhe kanë shumë afër shkolla ndërkombëtare ndër më të mirat në rajon.
Sipas “The Sun”, një prej vilave është shënjestruar nga luzitani. Bëhet fjalë për një ndërtesë luksoze me pishinë olimpike, sallë pritjeje dhe me tre vila më të vogla. Vila do të ketë një fushë basketbolli profesionale, sigurisht një palestër nga më modernet dhe shumë komoditete të tjera. Në këtë mënyrë, Ronaldo, Georgina dhe familja e tyre do të ndërtojnë Europën e tyre të vogël në zemër të Arabisë Saudite.
