Elbasan/ 35 vjeçari shkon në spital i plagosur me armë por gënjen, arrestohet bashkë me dy shokët
Një 35 vjeçar dhe shokët e tij janë arrestuar nga policia e Elbasanit pasi një ditë më parë shkoi në spital i plagosur me armë, por tha se ishte plagosur me hekur pasi kishte rënë nga motorri.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit:
"F. M., 35 vjeç, Sh. H., 33 vjeç dhe M. G., 30 vjeç, të tre banues në lagjen “5 Maji”, Elbasan.
Më datë 30.12.2022, rreth orës 21:30, ka shkuar për mjekim në spitalin rajonal të Elbasanit, shtetasi F. M., me një plagë në këmbë, e dyshuar e shkaktuar nga një armë zjarri. Pasi ka marrë mjekim, ky shtetas ka dalë nga spitali.
Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, shtetasi F. M. ka deklaruar se ishte dëmtuar me një hekur, pasi ishte rrëzuar nga motori, në vendin e quajtur “Harqet”.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar edhe shtetasit Sh. H. dhe M. G., shokë të shtetasit F. M., të cilët gjatë marrjes në pyetje nuk kanë treguar rrethanat e vërteta të ngjarjes," njoftoi policia.
Grupi hetimor nuk ka gjetur asnjë send të kundraligjshëm, gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes të pretenduar nga 35-vjeçari.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Moskallëzimi krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.