Martinez kritikohet nga legjenda skoceze: Dukej si një palaço vulgar
Emiliano Martinez vazhdon të tërheqë kritika nga personalitete të ndryshme të futbollit botëror pas festimeve provokuese në festën e Kupës së Botës por edhe në stadium menjëherë pas finales.
Legjenda e futbollit skocez, Graeme Souness e sulmon ashpër portierin argjentinas të Aston Villas. Ish-kapiteni i Liverpool nuk arrin ta përtypë sjelljen e numrit 1 duke e vendosur çmimin e “Portierit më të mirë të botërorit” në një vend të papërshtatshëm.
“Pjesa më e madhe e debatit bëhet për sjelljen e tij gjatë momentit të penalltive dhe unë mund ta kuptoj deri atje por besoj se ne duhet të flasim për gjestin e paedukatë që bëri pasi tërhoqi trofeun personal. A ka ende njerëz që argëtohen duke e parë një gjë të tillë? Martinez vuri në siklet jo vetëm veten e tij por të gjithë Argjentinën.
Dukej si një palaço vulgar. Ai do që ta kujtojnë për këtë gjë dhe unë shpresoj që Zoti ta ndihmojë. Nuk e kuptoj pse e bëri një gjë të tillë përballë njerëzve. Nuk ka aspak respekt për kundërshtarët dhe vetene tij? Për fat të keq ai moment do të mbetet në historinë e finales” .
