Nuk deklaroi në kohë pasurinë, dënohet me gjobë ministrja e Kosovës
Gjykata Themelore në Prishtinë, dënon ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdarin me 700 euro gjobë.
Hajdari u shpall fajtore për akuzën e mos deklarimit të pasurisë brenda afatit ligjor.
Aktgjykimi ndaj ministres Hajdari u shpall në mungesë të saj, të enjten nga gjykatësja Donikë Shala-Abdyli.
Sipas gjykatëses Shala-Abdyli, në rast se ministrja nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet me burgim, duke iu llogaritur për një ditë burgim shuma prej 20 euro.
Dënimi me gjobë do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.
E akuzuara detyrohet që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 30 eurosh, dhe për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Kundër këtij aktgjykimi lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate. /Express
